Libra të Përdorur (Used Books, in Albanian)
Në njërin prej atyre mëngjeseve,
kur të gjithë akrepat tregojnë Nadirin
dhe grija e dëborës asnjanëson djegjen në stomak,
e vetmja gjë që mund të ndodhë është një zile dere,
një libër i porositur prej javësh, të cilën posta e lë në prag
pa pasur nevojë për konfirmim.
Është “Gjeografi III“, një libër i përdorur i Elisabet Bishop.
I paketuar mirë. Me adresën e shtypur qartë mbi karton
dhe fotografinë e një burri të vranët shteti, në tre pulla radhazi.
Lexuesi para meje, apo një tjetër më i kahershëm,
ka bërë nënvizime poshtë vargjeve dhe shënime në anë,
duke mbivendosur gjeografinë e tij, mbi gjeografinë e saj,
–ishullin që Bishop e quante Ishulli im i gjorë plak,
ende i pashkelur, i papagëzuar;
asnjëri prej librave nuk e ka kapur saktë.
Kush është ky lexues? Është femër apo mashkull?
Mund te ketë qenë shtrirë në kurriz, pa askënd në krah
kur ka nënvizuar disa herë fort me të kuqe,
dhe në ndonjë pritje në aeroport, gjatë vonesës së avionit,
kur ka bërë komentet blu.
Kurse rrathët që qarkojnë fjalët, janë izobare;
duhet të kesh prekur fundin për t’i kuptuar.
Dhe tani është radha ime të mbivendos gjeografinë time
mbi të tyren. Nuk ka mbetur vend bosh, as edhe për hijet.
Një hark i zi filxhani kafeje dhe hiri i pakujdesshëm i një cigareje,
janë gjurma ime e vetme, frika nga qartësia.
Lexuesi pasardhës mund të jetë ime bijë, apo ndonjë mbesë,
që i pëlqen errësira dhe aroma e plumbit të shtypshkronjës.
Asaj i mbetet të përthyejë fletët, t’u grisë cepat me buzë
ose, pa e kuptuar, t’i bjerë ndonjë fije e verdhë floku.
Dhe një tjetër akoma,
nuk do të mbajë shënime por thjesht do t’ia shesë
si atlas gjeografik,
ndonjë koleksionisti ndoshta,
duke krijuar kështu gjeografinë e tij prej apostulli.
Brenda librave të përdorur përfshihesh aksidentalisht
si një një shtëpi të sapozbrazur nga evakuimi, ku çdo gjë është lënë në mes:
macja që gërvisht raftet për ushqim, këpucët teke,
rrëkeja e hollë e çesmës, shtretërit akoma të ngrohtë
dhe ekrani që vazhdon të shfaqë pa zë filmin e radhës,
koha, së cilës i duhet audiencë që të ekzistojë.