Dy e Nga Dy (Two by Two, in Albanian)
Ai u rrit në një qytezë buzë ujërash,
ku njerëzit i përgjigjeshin pyetjeve,
me një tjetër pyetje.
Verat ishin të gjata, rebele pa një kauzë,
rrethuar me dy baseta të kuqërremta ngasjesh.
Të djelave, katër gra lanin teshat në breg
duke përplasur këmishët e meshkujve, pas gurëve.
Katër gra të tjera në lumë imitonin të parat,
duke u hakmarrë ndaj burrave që nuk ekzistonin.
I humbur në kallamishtet afër pellgjeve,
dëgjonte të ëmën ta thërriste nga larg dhe nuk përgjigjej.
Vetmia ishte një artifakt,
i vetmi send që nuk dyzohej.
I ati e qethte në oborr, pa pasqyrë,
në njërën nga ditët me humor të mirë
dhe sofizmin e kumbullave të distiluara në gjuhë.
Gërshërët e tij ishin të pagabueshme;
ato pastronin mirë zonën përreth veshëve dhe syve
(fundja, ky ishte edhe qëllimi.)
I ulur në karrige; me këmbët e varura që nuk preknin tokën,
djali ndjehej i mbrojtur; vështirë se e ardhmja
mund ta përndiqte deri këtu,
pasi të kish humbur gjurmët si qeni në ujë.
Klepsidra, matësja e vetme e kohës,
nuk bënte dallim midis klientëve të saj.
Natën, zhurma e lumit ishte totalitare;
godiste pas qafe, si fryma e alkoolizuar e të atit
kur i hiqte qimet nga qafa pas qethjes.
Dhe ai këtë gjë bëri. Nuk guxoi të shihte pas.
Por pamja vazhdon t’i vijë e dyzuar, si iluzion ujërash:
dy versione të së drejtës, dy gra për të dashur,
(cila është iluzion i tjetrës?)
Apo si çiftet e specieve në arkën e Noes,
deri kur pëllumbi të kthehet me një gjethe ulliri në sqep.